Anatomia patologjike është e domosdoshme në degët e mjekësisë ku merret nga pacienti një mostër e indit ose e qelizave dhe dërgohet në laborator. Në këto situata, anatomia patologjike është specialiteti që jep diagnozën përfundimtare dhe lejon mjekët tanë të japin këshilla dhe kurën më të përshtatshme për pacientët e tyre. Edhe pse një nga përdorimet më të shpeshta të anatomisë patologjike është të ndihmojë në zbulimin dhe kontrollimin e llojeve të ndryshme të tumoreve, është gjithashtu e vlefshme në përcaktimin e problemeve të tjera si sëmundjet e veshkave dhe mëlçisë, çrregullimet autoimune dhe infeksionet.
Ngjyrosja e veçantë Patologët përdorin ngjyrime të ndryshme të veçanta përveç ngjyrimit të zakonshëm me hematoksilinë dhe eozinë (H&E). Këto vënë në dukje yndyrën, fibrat e ndryshme të indeve, mukozën, mikrobet si bakteret ose kërpudhat, proteinat ose lëndë të tjera biokimike që mund të jenë të dobishme në gjetjen e elementëve thelbësorë karakteristikë për sëmundje të caktuara.
Imunohistokimia Kjo teknikë shfrytëzon vetitë e veçanta të antitrupave që janë zhvilluar për të njohur përbërës të veçantë brenda qelizave ose mbi to.
Mikroskopia elektronike Mikroskopi elektronik përdor tensionin e lartë për të krijuar një rreze të gjerë elektronesh që drejtohen tek mostra e njgjyrosur.
Këto teknika molekulare përdoren për të gjetur mutacionet që ndihmojnë në zgjedhjen e terapisë së tumoreve malinje, si:
- HER2— kanceri i gjirit
- EGFR—adenokarcinoma e mushkërisë
- KRAS—kanceri i zorrës së trashë
- BRCA 1 & 2— kanceri i gjirit dhe kanceri i vezoreve
- BRAF—melanoma
- JAK2— neoplazitë mieloproliferative
Citologjia eksfoliative Kjo është analiza e qelizave që hiqen nga sipërfaqet e trupit. Testi i qafës së mitrës (Pap) është shembulli më i zakonshëm, por shqyrtohen shpesh dhe mostrat nga fshikëza urinare, zgavra e barkut, zgavra e kraharorit, lëngu cerebrospinal dhe nga lavazhi i mushkërive.
Aspirimi me gjilpërë të imët Kjo kryhet duke përdorur një gjilpërë më të hollë se ajo që përdoret në biopsinë e zakonshme, por me një teknikë të ngjashme. Është veçanërisht e dobishme në shqyrtimin e pranisë së qelizave normale ose jonormale.
Citometria e rrjedhës Kjo teknikë përdoret kryesisht në diagnostikimin e llojeve të ndryshëm të kancerit të qelizave të gjakut (leukemitë dhe limfomat).