Biopsia e Mushkërive

Home > Blogs > Pneumology > Biopsia e Mushkërive

Një biopsi e mushkërive është një procedurë diagnostike mjekësore që kryhet për të marrë mostra indi nga mushkëritë e pacientit, të cilat analizohen në laborator nën mikroskop. Kjo procedurë përdoret për të zbuluar shkaqet e ndryshimeve në mushkëri, duke përfshirë infeksionet, inflamacionet, sëmundjet pulmonare, fibrozën cistike, sëmundjet autoimune dhe, më së shpeshti, qelizat kanceroze. Biopsia e mushkërive është një nga metodat kryesore për diagnostikimin e tumoreve pulmonare dhe identifikimin e llojit të tyre.

Ky test mund të jetë i domosdoshëm kur imazheria diagnostikuese, si skanimi CT ose rrezet X, tregon një anomali në mushkëri, por nuk jep informacion të mjaftueshëm për natyrën e saj. Biopsia siguron një diagnozë precize dhe ndihmon mjekët të vendosin trajtimin më të përshtatshëm për pacientin.

Llojet e Biopsisë së Mushkërive

Ka disa metoda të ndryshme për marrjen e një biopsie të mushkërive, dhe zgjedhja e metodës varet nga ku ndodhen anomalitë, gjendja e përgjithshme shëndetësore e pacientit dhe qëllimi diagnostik.

1. Biopsia e Mushkërive me Gjilpërë (Biopsia perkutane ose transtorakale)

Kjo metodë përdor një gjilpërë speciale për të marrë një mostër indi nga mushkëria për analizë laboratorike. Procedura zakonisht kryhet në kushte sterile në spital dhe në udhëheqjen e një skaneri CT ose fluoroskopie për të siguruar që gjilpëra të përfundojë në zonën e saktë. Ajo zakonisht kryhet për:

  • Identifikimin e tumoreve ose masave pulmonare që ndodhen afër murit të kraharorit.
  • Vlerësimin e infeksioneve të mushkërive dhe sëmundjeve inflamatore.
  • Diagnostikimin e pneumonive të veçanta ose infeksioneve fungale të mushkërive.

Përparësitë e kësaj metode përfshijnë :

  • Nuk kërkon anestezi të përgjithshme, vetëm anestezi lokale.
  • Procedura zgjat zakonisht vetëm 30-60 minuta.
  • Më pak invazive krahasuar me biopsitë kirurgjikale.

Por duhet përmendur që, si për cdo procedurë, ekzistojnë disa rreziqe që duhen marrë parasysh, si gjakderdhje, rrezik pneumotoraksi (kolaps i mushkërisë nga hyrja e ajrit në hapësirën pleurale), apo mundësi infeksioni.

2. Biopsia Transbronkiale e Mushkërive (Përmes bronkoskopisë)

Kjo biopsi kryhet duke futur një bronkoskop, një tub fleksibël me dritë dhe kamerë në fund, përmes hundës ose gojës dhe duke avancuar deri në rrugët e frymëmarrjes (bronkie). Kryhet për:

  • Vlerësimin e sëmundjeve difuze të mushkërive.
  • Marrjen e mostrave të indit pulmonar për analiza qelizore.
  • Diagnostikimin e sëmundjeve pulmonare intersticiale dhe sarcoidosis.

Duhet përmendur që kjo procedurë është më pak invazive se biopsia kirurgjikale, e nuk kërkon prerje të lëkurës. Gjithashtu, rikuperimi nga procedura është relativisht e shpejtë. Megjithatë, edhe këtu kemi rrezik të ndonjë gjakderdhje e lehtë ose pneumotoraks.

3. Biopsia Torakoskopike e Mushkërive (VATS – Kirurgjia Torakale e Asistuar me Video)

Ky lloj biopsie përdor një endoskop të hollë dhe të ndriçuar, që futet në zgavrën e kraharorit përmes prerjeve të vogla në lëkurë. Kryhet për:

  • Diagnostikimin e sëmundjeve që prekin pleurën dhe mushkëritë.
  • Marrjen e mostrave kur metodat e tjera janë të pamjaftueshme.
  • Heqjen e indeve të dyshimta ose nyjeve limfatike.

Kjo metodë është më pak e dhimbshme se biopsia e hapur, dhe rikuperimi është më i shpejtë krahasuar me kirurgjinë tradicionale. Por, gjendet përsëri rreziku i hemorragjisë ose infeksionit pas operacionit, si dhe dëmtime të mundshme të mushkërivë.

4. Biopsia e Hapur e Mushkërive

Ky është lloji më invaziv i biopsisë, ku mjeku bën një prerje të madhe në gjoks për të marrë mostra nga mushkëria. Përdoret zakonisht kur:

  • Metodat e tjera nuk kanë dhënë informacion të mjaftueshëm.
  • Ekziston dyshimi për një sëmundje pulmonare serioze.

Përparësia e kësaj procedure është se jep rezultate të sigurta dhe precize, si dhe lejon marrjen e mostrave të mëdha. Megjithatë, mund të shoqërohet me një periudhë më e gjatë rikuperimi, apo dhimbje dhe rrezik i infeksionit.

Çfarë Ndodh Pas Biopsisë?

Pas kryerjes së biopsisë së mushkërive, pacienti do të monitorohet për një periudhë të caktuar për të siguruar që nuk ka komplikime si gjakderdhje ose pneumotoraks. Në varësi të metodës së biopsisë, pacienti mund të largohet nga spitali brenda disa orësh ose të kërkohet që të qëndrojë për monitorim.

Mjeku ynë profesionist do të kujdeset t’ju udhëzojë sic duhet për kujdesin pas biopsisë, i cili mund të përfshijë:

  • Shmangien e aktiviteteve të rënda për disa ditë.
  • Vëzhgimin/mbajtjen nën mbikëqyrje të simptomave si dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje ose kollitje me gjak.
  • Marrjen e ilaçeve kundër dhimbjes sipas udhëzimeve të mjekut.

Pse të Zgjidhni Spitalin Starmed?

Spitali Starmed ofron një ekip të specializuar të mjekëve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor që janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar pacientët gjatë gjithë procesit të diagnostikimit dhe trajtimit. Me teknologjinë më të fundit dhe njc ambient të përkushtuar për kujdesin ndaj pacientëve, Spitali Starmed garanton siguri, efikasitet dhe një përvojë komode për pacientët.