Bradikardia: Rrahjet e ngadalta të zemrës

Home > Blogs > Cardiology > Bradikardia: Rrahjet e ngadalta të zemrës

Bradikardia quhet kur zemra rreh më pak se 60 herë në minutë në qetësi. Te të rinjtë, sportistët dhe gjatë gjumit, 50–60 rrahje në minutë janë shpesh normale dhe nuk kërkojnë trajtim. Bradikardia bëhet shqetësuese kur shoqërohet me marramendje, të fikët, lodhje të fortë, gulçim apo dhimbje gjoksi, ose kur pulsi bie nën 40 në minutë. Diagnoza bëhet me EKG dhe Holter, dhe trajtimi varet nga shkaku. Shpesh mjafton ndryshimi i një ilaçi. Në raste të caktuara nevojitet pacemaker.

Sa duhet të jenë rrahjet e zemrës?

Te të rriturit, rrahjet normale në qetësi janë 60–100 në minutë. Ato ndryshojnë me moshën, formën fizike, gjumin, stresin dhe ilaçet.

Çfarë do të thotë pulsi juaj

Rrahje në minutë (qetësi)Çfarë do të thotë zakonisht
60–100Normal për të rriturit
55–59Pak nën normën. Shpesh normale te personat aktivë, nëse nuk ka simptoma.
50–54Bradikardi e lehtë. Normale te sportistët dhe gjatë gjumit. Nëse keni marramendje apo lodhje, bëni një EKG.
40–49Bradikardi e theksuar. Te sportistët e stërvitur mund të jetë normale, por te të tjerët duhet vlerësim kardiologjik.
Nën 40Shumë e ulët, sidomos me simptoma. Kërkoni ndihmë mjekësore pa vonesë.

Rrahjet normale të zemrës sipas moshës

MoshaRrahje normale në qetësi (rreth)
Foshnja (1–12 muaj)100–160
1–3 vjeç90–150
3–5 vjeç80–140
6–12 vjeç70–120
Adoleshentë dhe të rritur60–100
Sportistë të stërvitur40–60

Te fëmijët, rrahjet “normale” të një të rrituri mund të jenë shumë të ulëta. Nëse pulsi i fëmijës ju duket i ulët, konsultohuni me pediatrin.

Simptomat e bradikardisë

Shumë njerëz nuk ndiejnë asgjë. Kur zemra rreh aq ngadalë sa truri dhe organet nuk marrin gjak të mjaftueshëm, mund të shfaqen:

  • Marramendje ose ndjesi sikur do t’ju bjerë të fikët
  • Të fikët (sinkopë)
  • Lodhje e fortë dhe dobësi
  • Gulçim, sidomos gjatë lodhjes fizike
  • Dhimbje ose shtrëngim në gjoks
  • Konfuzion, vështirësi në përqendrim ose kujtesë
  • Ulje e aftësisë për aktivitet fizik

Truri merr rreth 15–20% të gjakut që pompon zemra, ndaj është i ndjeshëm kur rrahjet ulen shumë.

Kur është urgjencë?

Telefononi 127 ose shkoni në urgjencë nëse pulsi i ulët shoqërohet me:

  • të fikët
  • dhimbje gjoksi
  • gulçim të fortë
  • konfuzion ose dobësi të papritur
  • pulsin nën 40 me simptoma
Diagnoza dhe Analizat për Bradikardinë
Diagnoza dhe Analizat për Bradikardinë

Shkaqet e bradikardisë

Shkaqe normale (pa sëmundje):

  • Forma e mirë fizike dhe sporti: zemra e stërvitur rreh më ngadalë
  • Gjumi: gjatë natës pulsi ulet natyrshëm
  • Mosha e re dhe tonusi i lartë vagal

Ilaçet (shkak shumë i shpeshtë):

  • Beta-bllokuesit (p.sh. për tensionin ose aritmitë)
  • Disa bllokues të kanaleve të kalciumit, digoksina dhe ilaçe të tjera për ritmin
  • Disa ilaçe për sëmundje të tjera, opioidet dhe disa substanca narkotike

Probleme të zemrës:

  • Mosfunksionimi i nyjës sinusale (“pacemaker-i natyral” i zemrës), më i shpeshtë te të moshuarit
  • Bllokimi i përcjelljes elektrike (blloku atrio-ventrikular)
  • Infarkti, sëmundja koronare, kirurgjia e zemrës
  • Inflamacionet e zemrës (miokarditi, endokarditi, perikarditi)

Shkaqe të tjera:

  • Hipotiroidizmi (tiroide që punon pak)
  • Çrregullimet e elektrolitëve (kalium, kalcium, magnez)
  • Apnea e gjumit
  • Hipotermia
  • Anoreksia dhe kequshqyerja
  • Infeksione si ethet reumatike dhe, më rrallë, sëmundja Lyme ose Chagas

Faktorët e rrezikut: mosha mbi 65 vjeç, tensioni i lartë, sëmundjet e zemrës, duhani, alkooli dhe përdorimi i drogave.

Si diagnostikohet bradikardia në Starmed Hospital

  • EKG: testi kryesor, tregon ritmin dhe ku ndodh problemi në sistemin elektrik të zemrës
  • Holter ritmi: regjistrim i vazhdueshëm 24–48 orë, që kap rrahjet e ngadalta gjatë ditës dhe natës
  • Event monitor: për simptoma që vijnë rrallë
  • Testi i stresit: tregon nëse zemra e rrit ritmin siç duhet gjatë lodhjes
  • Ekokardiografia: funksioni dhe struktura e zemrës
  • Analiza gjaku: elektrolitë (kalium, kalcium, magnez), hormonet e tiroides, troponina dhe, kur duhet, testi toksikologjik për ilaçe ose substanca

Si trajtohet bradikardia?

  • Pa simptoma: zakonisht nuk duhet trajtim, vetëm ndjekje.
  • Kur shkaku është një ilaç: mjeku mund ta ndryshojë dozën ose ilaçin. Mos e ndërprisni vetë, sepse disa ilaçe për zemrën janë të rrezikshme kur ndërpriten papritur.
  • Trajtimi i shkakut: hormon tiroid për hipotiroidizmin, korrigjimi i elektrolitëve, trajtimi i apnesë së gjumit.
  • Në urgjencë: ilaçe në venë (p.sh. atropinë) ose stimulim i përkohshëm.
  • Pacemaker (stimulues kardiak): kur bradikardia shkakton simptoma dhe vjen nga sistemi elektrik i zemrës. Është një pajisje e vogël që vendoset nën lëkurë dhe ndihmon zemrën të rrahë me ritmin e duhur. Vendosja është procedurë e zakonshme.
semundjet e zemres - eko zemre - semundjet kardiovaskulare - ekg e zemres
semundjet e zemres – eko zemre – semundjet kardiovaskulare – ekg e zemres

Si të rrisni rrahjet e zemrës, dhe kur nuk duhet

Nëse pulsi juaj është 50–60 dhe ndiheni mirë, zakonisht nuk keni pse ta “rrisni”. Ky është ritmi normal për ju.

Nëse ndiheni të dobët ose ju merren mendtë:

  1. Uluni ose shtrihuni dhe ngrini këmbët, që të mos rrëzoheni.
  2. Pini ujë, sidomos nëse keni djersitur ose s’keni pirë mjaftueshëm.
  3. Matni pulsin dhe tensionin dhe shënoni vlerat dhe orën.
  4. Kontrolloni ilaçet: a keni marrë një ilaç të ri ose një dozë më të madhe se zakonisht?
  5. Lëvizni ngadalë kur ngriheni nga shtrati apo karrigia.

Mos merrni vetë ilaçe, kafe të tepërt apo energjike për ta “ngritur” pulsin. Ato nuk e trajtojnë shkakun dhe mund të jenë të rrezikshme. Nëse simptomat përsëriten, bëni EKG dhe vizitë te kardiologu.

Ushqimi dhe rrahjet e zemrës

Nuk ka ushqim që “normalizon” rrahjet e zemrës. Megjithatë:

  • Kaliumi dhe magnezi janë të rëndësishëm për ritmin e zemrës. Ata gjenden te perimet jeshile, bishtajoret, frutat e thata, bananet dhe patatet. Suplementet merren vetëm nëse analizat tregojnë mungesë, sepse kaliumi i tepërt është po aq i rrezikshëm.
  • Kufizoni alkoolin dhe mos përdorni substanca narkotike.
  • Pini ujë mjaftueshëm, sidomos në vapë.
  • Nëse keni hipotiroidizëm, trajtimi i tiroides ka më shumë efekt se çdo dietë.

Jetesa me bradikardi

Shumica e njerëzve me bradikardi bëjnë jetë normale. Nëse ju është diagnostikuar:

  • Mbani një ditar simptomash: kur keni marramendje, lodhje apo dobësi, dhe çfarë po bënit
  • Bëni kontrollet te kardiologu sipas planit
  • Tregoni çdo ilaç të ri te mjeku që ju ndjek për zemrën
  • Me pacemaker: bëni kontrollet e rregullta të pajisjes dhe pyesni mjekun për telefonat, magnetët apo procedurat mjekësore

Lexoni edhe për rrahjet e shpejta të zemrës (takikardinë), pesë shenjat e aritmisë dhe tensionin e ulët të gjakut.

Pyetje të shpeshta

A janë të rrezikshme rrahjet e zemrës 50 në minutë?

Zakonisht jo, nëse ndiheni mirë. Te të rinjtë, sportistët dhe gjatë gjumit, 50 rrahje në minutë janë shpesh normale. Nëse keni marramendje, lodhje të fortë apo të fikët, bëni një EKG dhe vizitë te kardiologu.

Sa duhet të jenë rrahjet normale të zemrës?

Te të rriturit, 60–100 rrahje në minutë në qetësi. Te sportistët e stërvitur mund të jenë 40–60. Te fëmijët janë më të larta, p.sh. 70–120 te fëmijët 6–12 vjeç.

Çfarë duhet të bëj kur kam rrahje të ulëta të zemrës?

Uluni ose shtrihuni, pini ujë, matni pulsin dhe tensionin dhe kontrolloni nëse keni marrë ndonjë ilaç të ri. Nëse keni të fikët, dhimbje gjoksi apo gulçim, ose pulsi është nën 40 me simptoma, telefononi 127.

Si të rris rrahjet e zemrës?

Nëse pulsi është i ulët por ndiheni mirë, zakonisht nuk ka nevojë. Nëse keni simptoma, duhet gjetur shkaku, p.sh. një ilaç, tiroidja apo një problem i sistemit elektrik të zemrës. Mos merrni vetë ilaçe apo energjike.

Kur duhet pacemaker për bradikardinë?

Kur bradikardia shkakton simptoma si të fikët, marramendje apo lodhje të fortë dhe vjen nga një problem i sistemit elektrik të zemrës që nuk korrigjohet me trajtimin e shkakut. Vendimin e merr kardiologu pas EKG-së dhe Holter-it.

Rezervoni një kontroll të ritmit të zemrës në Starmed, Tiranë

Pulsi juaj është shpesh nën 50, apo keni marramendje dhe lodhje pa shkak? Në Kardiologjinë e Starmed, vizita, EKG, Holter-i dhe analizat kryhen në të njëjtin vend.

Rezervoni vizitën te kardiologu →

Ky artikull ka qëllim informues dhe nuk zëvendëson konsultën me mjekun.